Romelda Bozhani

Romelda Bozhani,  pas studimeve për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Tiranë, ka punuar si gazetare në shtypin e shkruar kombëtar rreth viteve dy mijë, si dhe ka punuar në televizionin “Kombi”, në Fier. Prej më shumë se dy dekadash jeton e punon jashtë Shqipërisë, aktualisht në Itali, ku edhe ka studiuar sërish në la Sapienza, kësaj here për kritikë të krahasuar. 
Nuk është thjesht nostalgjia, që na bëri ta përfshinim në projektin tonë Solo Intervista, ruajtur për personazhe të veçanta të qytetit tonë. Pasionin për letërsinë, gazetarinë e fjalën në përgjithësi, sot e kësaj dite, ajo e ushtron në forma të ndryshme. Viteve të fundit, i është rikthyer sërish botimit në shtypin shqiptar, brenda e jashtë kufijve dhe, ne, gjetëm rastin t’i merrnim disa mendime. 
Duke marrë parasysh interesin jo të vogël, që ka ngjallur kjo intervistë, shfaqur në youtube, te publiku ynë, vendosëm ta publikonim në formë të shkruar. 
 

-Përshëndetje Romelda. Mirë se keni ardhur në Solo Intervista. Si fillim, publiku, do të dijë, se kush e ndezi pasionin tuaj për letërsinë? A vazhdon të jetë ende në ditët e sotme ky pasion dhe në cilat mënyra? 

-Përshëndetje, Turi. Ju falënderoj shumë për ftesën dhe më vjen shumë mirë që po puqemi pas kaq kohësh. E kam ndjekur emisionin tuaj, kam vënë re një përzgjedhje të kujdesshme nga ana juaj të personazheve të njohura, që qytetit tonë i kanë dhënë jetën dhe punën e tyre, ndërsa qyteti ua ka shpërblyer me emrin e mirë, që sot e kësaj dite ata mbajnë. 
Dhe kjo nuk është pak. Në kohë të turbullta si sot, një zë i mëvetshëm si i yti, është shumë. 
Tashti, përsa i përket letërsisë. Kush e ndezi tek unë pasionin për të?! 
Koha. Mendoj se ka qenë koha. Unë kam jetuar një fëmijëri, një rini, një adoleshencë, në një kohë të çuditshme, në buzë të dy kohëve. Në ndërrimin e kohëve, në ’90-ën, unë kam qenë 15 vjeçe, kështu që e kam jetuar sistemin e vjetër, pra e kam përjetuar kalimin nga bota e vjetër, në botën e re. Atëherë, ne kemi pasur veç libra. Libra, njerëz, ëndrra. Të gjitha mungesat e tjera, materiale, që janë vënë re më vonë, nuk na kanë munguar, ose më saktë, na kanë munguar më vonë, këtë mungesë e kemi kuptuar më vonë. Atëherë, jetët dhe ditët tona, mbusheshin me libra, njerëz dhe ëndrra. 
Besoj se e mbani mend edhe juve, në kohën e komunizmit në shtëpitë shqiptare lexohej shumë. Ishte një parrullë e një moto e përgjithshme e aso kohe: “Gdhendja e njeriut, lindja e Njeriut të Ri”. Dhe Njeriu i Ri lindte nga dija e nga puna, pra nga libri e nga kazma. Kështu që, vulën e dijes, ne të brezit tonë, e kemi patjetër. 
Edhe në shtëpinë tonë lexohej shumë. Unë me time motër i hanim librat. Lexonim edhe natën, nën dritën e një llambe të vogël, që shërbente si abazhur, gjysmë fshehurazi nga prindërit, duke i marrë orë gjumit. Të nesërmen duhet të shkonim në shkollë, por s’kishte rëndësi. E rëndësishme ishte të mbarohej libri. 
Mbaj mend se me moshatarët tanë luanim me librat, me personazhet, u ndryshonim vendin atyre, ndryshonim fundin e një libri, i bënim recension, komentonim. Pra, letërsia, pa e ditur, ka ardhur kështu për herë të parë tek unë: si akt krijimi. Më vonë u thellua pasioni im për letërsinë, shpërtheu me shkuarjen në gjimnaz e me hyrjen në skenë të profesorit tonë të dashur, Fredi Jorgaqit, i cili, pavarësisht kohës së vështirë, ka ditur të na e nxjerrë talentin, të na e ushqejë, të na e drejtojë dhe të nxjerrë prej nesh pjesën më të mirë: letërsinë. 
Atëherë, ne, një grup vajzash të Gjimnazit të Ri, falë profesorit tonë, kemi botuar një libër me poezi që titullohej: “Gjuha e syve”. Ndërkohë që, jashtë, mbizotëronte gjuha e armëve dhe e dhunës. Ajo ishte koha, ky ishte brezi ynë. Kemi shpëtuar falë pasioneve tona. 
Pasionin për fjalën unë e kam ruajtur edhe më vonë, e bëra profesion të timin dhe studiova për letërsi. Është kaq e pazgjidhshme jeta ime nga letërsia, sa sot e kësaj dite vazhdoj të shkruaj, të lexoj, pavarësisht, se, për një periudhë kohe, e lashë këtë punë. Por, me sa duket, me rigjetjen e vetes, rigjeta dhe letërsinë. 
Koha. Ishte koha. Sot e kësaj dite prindërit dhe familjarët e mi, ime motër, im vëlla, më bëjnë libra si dhuratë dhe kjo thotë shumë.

-Juve merreni edhe me publicistikë e shkrime. Ç’mund të na thoni? A do t’i përmblidhni ndonjëherë këto shkrime, artikuj dhe informacione në ndonjë publikim të përbashkët? 

-Besoj se po. Siç e thashë, pas një periudhe të gjatë, kur unë endesha në kërkim të vetes, në kërkim të vendit tim në këtë botë të madhe, kam rigjetur sërish gazetarinë, letërsinë. 
Unë lind si gazetare terreni. Pas fakultetit dhe studimeve të mia për Letërsi dhe Gjuhë shqipe, lindi pasioni për gazetarinë. Për herë të parë u punësova te gazeta “Koha jonë“, si gazetare terreni. Atëherë kjo gazetë ka qenë Universiteti i Gazetarisë shqiptare. Ka qenë ai universitet që i ka munguar gazetarisë në Shqipëri. 
Më pas, kam botuar në ente të ndryshme, në gazeta dhe revista kombëtare e kam përshtypjen se kështu erdha duke u përforcuar. Sot e kësaj dite, pasioni im mbetet gazetaria dhe shtypi i shkruar. Ndërkohë, kam punuar edhe në Televizionin “Kombi”, në Fier, aty ku jemi njohur edhe ne të dy, por mendoj se pasioni im, përfundimisht, mbetet shtypi i shkruar. Ndoshta më pëlqen ritmi i të ngeshmit dhe ajo koha që të tensionon e të rri si çekan mbi krye, që duhet patjetër ta respektosh në televizion, më bezdis, më çorienton.   
Një nga periudhat më të arta, që dua ta nënvizoj, ta theksoj dhe ta them me të madhe, është Afrika. Pasi ika nga Shqipëria, unë kam jetuar në Afrikë, në këtë kontinent të magjishëm, për një kohë të gjatë. Dhe ky kontinent i magjishëm, më ka dhënë dimensione të tjera, ngjyra të tjera, që u kanë dhënë peshë tjetër shkrimeve të mia. Afrika u ka dhënë ngjyresë dhe atë përqëndrim njerëzor, që dikur ndoshta, në çaste të caktuara, mendoj se e humbisja. Kjo është, përsa i përket anës humane të Afrikës. Ndërsa nga ana intelektuale, më ka dhënë atë lidhje të padukshme mes kockës dhe mendimit, dhe kështu, kam përshtypjen, se kam gjetur rrugën e duhur për ta futur në shkrimet e mia. 
Jam kthyer sërish sot shkrimit. Botoj në ente të ndryshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Do të falënderoja shumë Adi Thanon, që e kemi edhe nga Fieri, sepse më ka hapur dyert te Gazeta “Dita”, të cilën ai e drejton. 
Falënderoj Ornela Musabelliun, botuesen e “Revistës Letrare”, që nxirret në Bruksel e falë shkrimeve jemi bërë edhe mikesha. Botoj te “Peizazhet”, revistës kulturore online, të Ardian Vehbiut, te gazeta “Dielli”, organ i Vatrës së Fan Nolit, në SHBA, me kryeredaktor Sokol Pajën. 
Këto janë hapa të vegjël besoj, por unë nuk i harroj. Kanë lidhje me shkrimet, që herë a vonë do të dalin në dritë.  

-Cilat janë planet tuaja të ardhme në lidhje me letërsinë? 

-Libra, shumë libra, edhe pse ende nuk kam filluar. Po punoj për një libër me tregime e novela. Libër “fiction”, siç quhet në ditët e sotme, por që unë kam dëshirë ta quaj libër “trillim”, apo “hazdisje mendore”. Po punoj me Ornela Musabelliun, pasi tek ajo kam gjetur redaktoren, njeriun e mirë, muzën, pra, atë figurë, për të cilën ka nevojë fillimisht një letrar e shkrimtar i ri. 
Në ëndrrat e mia të hershme është edhe poezia dhe kam shumë poezi në sirtar. Besoj se do të dal e do të botoj ndonjë libër të tillë. Të gjitha këto janë plane, që me pak fat dhe me shumë durim, besoj se do bëhen realitet.  

-Sa lidhje keni me letërsinë shqiptare sot dhe a është në rrugën e duhur kjo letërsi? 

-Kam të njëjtën lidhje që kam me Shqipërinë, pra, lidhje të pazgjidhshme. Sa herë vij në Shqipëri, blej libra në shqip, të autorëve shqiptarë, të huaj, përkthime etj. e vazhdoj të jem në kontakt. Por, detyrimisht, koha dhe largësia bëjnë të vetën, Unë jetoj jashtë Shqipërisë dhe ngjyresat e së përditshmes, pikërisht ato që mund t’i marrësh vetëm duke qenë në kontakt të drejtëpërdrejtë me terrenin, apo me një vend mund t’i marrësh, më humbasin. Pavarësisht se unë përpiqem të jem e kujdesshme ta mbush këtë boshllëk nëpërmjet teknologjisë. Edhe pse ajo, shkurton rrugët e komunikimit, gjithsesi, është e ditur tashmë, që ajo të mbush me sipërfaqe, të jep pjesën më të lehtë. 
Poezinë e lexoj në shqip e më shijon kështu, sot e kësaj dite. Pavarësisht se ditët e mia janë të mbushura me një mori fjalësh, në një mori gjuhësh, mund të them se jam në kontakt dhe vazhdoj të lexoj sistematikisht shqip. 
Unë mendoj se letërsia shqipe e ka humbur atë status që ka pasur në komunizëm. Në kohën e komunizmit, për herë të parë, ne kemi pasur një letërsi “art për art”. Atëherë, letërsia shqiptare u bë institucion, ndërsa tani, shkrimtarët e rinj janë të çorientuar sepse nuk ka kush të kujdeset për ta e nuk mund të organizohen. Në fund të fundit, nuk është detyra e një shkrimtari të organizohet e t’i përkasë një rrjeti të caktuar. Kjo është detyrë shtetërore. Është detyrë e shtetit të organizojë dhe ta rikthejë sërish letërsinë në institucion. Me përhapjen e kufijve, kemi lindjen, rilindjen, ose ringjalljen, më saktë, edhe të letërsisë së diasporës. Dhe ne kemi një traditë të mirë të kësaj letërsie. 
Por ajo që më bezdis mua edhe më mundon më shumë, është gjuha shqipe, jo letërsia. Letërsia, herët a vonë, do ta gjejë rrugën e vet. Rruga e letërsisë është në zhvillim e sipër, nuk ka kthim pas. Çuditërisht, nuk puqet rruga e gjuhës me rrugën e letërsisë. Kemi shembuj nga përvoja botërore për një thënie të tillë e nuk është e nevojshme t’i shpikim ne gjërat. Kemi shembuj se si gjuha e perandorive të fuqishme, edhe nga më të fuqishmet e kohës, kanë vdekur, sepse nuk janë ushqyer, sepse kanë devijuar e kanë marrë rrugën e gjuhëve të tjera, simotrave të tyre, ose janë bërë mëma të gjuhëve më të reja, por gjuha në vetvete ka vdekur. Pra, ne, duhet të kemi kujdes e duhet të ruhemi nga ky fenomen. 

-Kush janë disa nga autorët që, sipas jush, njerëzit duhet të lexojnë patjetër gjatë jetës së tyre? 

-Librat e zanafillës së krijimit të botës dhe klasikët, pra, fillimisht, mitologjinë. Në gjithë librat e mitologjisë botërore shpjegohet zanafilla dhe krijimi i botës. Është shumë e rëndësishme njohja e këtyre librave dhe po aq të rëndësishëm janë klasikët. Nuk ka asnjë njohje të botës dhe mendimit, pa librat e zanafillës dhe klasikët. Është detyrë mbi detyrat. Niçe (Nietzsche) thotë se nëse përgjigjeve tuaja nuk u përgjigjet shkenca, atëherë drejtohuni miteve. Pra, sipas meje, mitet janë njohja më e thellë, ndërsa klasikët janë tullat e themeleve, tullat dhe shkallët që të shpien në majë. Nuk ka dritë pa klasikët.  

-Kush është për ju poeti më i mirë?

Nga shqiptarët, mua më pëlqejnë: Migjeni, Martin Camaj dhe Mimoza Ahmeti. 
Do të doja shumë të thoja Lazgushin, që është liriku më i madh i yni. Shumë i madh e shumë i talentuar, por mua më pëlqen poezia e angazhuar, poezia e Migjenit, poezia e shtresave dhe e simboleve, siç është ajo e Martin Camajt, poezia e puplës dhe e ndjenjës, e Mimoza Ahmetit. Poezia e saj është si një cipë qepe: më shumë zbulon se sa mbulon. 
Sot e kësaj dite e mbaj mend kur e kam zbuluar Migjenin. Nuk e lashë më. Një periudhë kohë u përpoqa, në mënyrë të vetëdijshme ose jo, të imitoja stilin e tij, por vullkani nuk imitohet. 
Ndërsa poezia e Camajt, kam përshtypjen se nuk është kuptuar, sepse nuk kemi mjete. Ne trashëgojmë mjetet e të së kaluarës dhe ndoshta ende nuk dimë të futemi në thellësinë e poezisë së tij. Është një poezi shumë e fuqishme, atipike shqiptare, poezi e mendimit dhe e shtresave, poezi e lartë. 
Për hir të së vërtetës, për punë, kam rizbuluar së fundmi, Thomas Eliotin. Edhe ai ka një poezi shtresash. 
Më pëlqejnë simbolistët francezë, apo “poetët e mallkuar”: Rembo (Rimbaud), Apoliner, Verlen (Verlain), Bodler (Baudelaire) Sërish për punë, kam rizbuluar Eugjenio Montalen. Poezia e tij është absolutisht vepra e një poeti mendimtar. 
Më pëlqen mendimi që shpon, si për shembull Majakovki, Poezia e tij shpon me mendim. 
Në të vërtetë, për mua, poezia është pjesa më e lartë e ndjenjës, e ndjesive të një shkrimtari, apo poeti dhe përfaqëson më shumë se çdo gjini tjetër, kohën kur shkruhet.      

-Kush është për ju shkrimtari që e keni më për zemër?
-Janë shumë. S’do mbaroja dot. Mendoj se duhet të them të parët ata që i lexoj, i rilexoj sërish e s’lodhem. Një nga këta është Kadareja, që e njoh qysh në shkronjën e parë. Pastaj është Markezi (Gabriel Garsia Marquez) që shpeshherë mendoj se jemi shumë fatlumë që e kemi jetuar në të gjallë një pjesë të veprës së tij dhe si lum nëna e tij që e ka bërë, aq shumë më pëlqen mua. 
Tjetër, janë Heminguej, Dostojevski, që janë pika të pamohueshme të letërsisë botërore. Tjetër, Kalvino, Pirandelon me ironinë e tij. Kam zbuluar edhe Ilias Kanetin (Elias Canetti), një nobelist, që shkruan me lehtësinë e një pupleje e të një fluture, Tjetër: Antonio Tabukin, një shkrimtar i pandier italian, me një stil të mrekullueshëm. Tjetër: Henri Millerin, që të zhvesh me fjalën. 
Ndërsa nga gratë më pëlqejnë: Marguerite Duras, Virginia Wolf. Të dyja tentojnë të zhbirojnë natyrën njerëzore sa më thellë të munden, por njëra e bën me sinqeritet që të shqyen, ndërsa tjetra ka dallga marrëzie, që të marrin përpara. Janë të dyja të mrekullueshme. Kam zbuluar dhe më pëlqen pa fund, së fundmi, Herta Muller, një Nobel gjerman, që të shpon si me thikë, fjala e saj që të shpon. 

-Në fund të Solo Intervistës, ne kemi traditë që të ftuarit të japin një mesazh. Cili është mesazhi juaj për publikun tonë? 

- Rivlerësimi dhe rigjetja e jetës. Duhet t’i japim vlerën e duhur jetës. Kam përshtypjen se ne shqiptarët e nënvlerësojmë dhe e zhvlerësojmë jetën. Ne mendojmë se njeriu nuk ka vetëm një por dhjetra jetë, kështu që mund edhe ta rrezikosh e ta sakrifikosh lehtë jetën e parë, që është kjo realja. 
Nuk është kështu. Unë mendoj se ne shqiptarët duhet t’i japim vlerën e duhur jetës. E të krijojmë një filozofi jete të shëndoshë, sepse duke krjuar një filozofi të tillë, jetojmë më mirë me njëri-tjetrin, jetojmë më bukur. Besoj se në këtë jetë, në 50 vjetë, 60, 70, 80, apo edhe 100 vjetë, që shpresoj që secili prej nesh të ketë, mund të lexojmë disa libra se kështu jetohet më mirë. Kur gdhendesh e ftillohesh, jetohet më mirë dhe librat të ndihmojnë për të krijuar një filozofi jete të shëndetshme. 
Së fundmi, dua t’ju falenderoj juve Turi, për këtë intervistë, që shpresoj të mos jetë e fundit.

https://youtu.be/ehDGxM3QapI?si=xRjVzpwagLazHSSk

Comments

Popular posts from this blog

12 notat muzikore

Vlerat e notave, tabela