Gjysem shekulli muzike Spiro Kalemi
Diku kam lexuar se të shkruarit për muzikën, është njëlloj si të vallëzuarit për arkitekturën. Në çastin e parë duket si një krahasim i gjetur. Mirëpo, kur një punë të tillë e ke zgjedhur si profesion, nuk të rezulton ashtu. Këto “gjuhë”, përndryshe të papajtueshme, mund të bëhen bashkë, sikundër mund të ndodhë që vallzimi dhe arkitektura të gjejnë, edhe ata, pika takimi.
Ka qenë viti 1885, kur Guido Adler hodhi bazat teorike të asaj që sot njihet si muzikologji, një emërtim që duket sikur i bën karshillëk kësaj papajtueshmërie mes fjalës (logos) dhe muzikës. Si fushë studimi, ajo kish filluar të mëvetësohej rreth mesit të shekullit të 19-të, por mundi të afirmohej si discipline akademike në fillim të shekullit të 20-të. Gjithsesi, në historinë e saj aspak të hershme, gjejmë kontribute të shumta të cilat kanë bërë të gëlojnë shumë nën-disiplina (etnomuzikologji, musikwissenschaft, muzikologji sistematike, muzikologji historike, filologji muzikore, etj.). Nuk do përjashtonim këtu edhe ato forma më divulgative të publicistikës e kritikës muzikore që të marra së bashku tregojnë “vitalitetin” e të shkruarit për muzikën.
Muzikologjia në Shqipëri fitoi mëvetësi profesionale gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Ashtu si në shumë vende të tjera, objektivat e saj, krahas muzikëbërjes, kanë qenë të kushtëzuar në një masë të ndjeshme edhe nga faktorë kulturorë, politikë dhe ideologjikë. Ajo ka qenë e organizuar madje deri diku edhe e “burgosur” në kornizën nacionale. Nëse periudha e komunizmit e profesionalizoi si disiplinë, duke e mbajtur gjithmonë në morsën e vet ideologjike, post-komunizmi, përkundër, ka sjellë një lloj letargjie. Nga kjo e e fundit, ajo nuk po del ende, për të ri-vendosur lidhje të qëndrueshme qoftë me të shkuarën, ashtu edhe me aktualitetin. Ka pasur kontribute të ndryshme, shpesh nga autorë të cilët janë marrë me muzikologji, por duke ardhur nga disiplina të tjera si kompozicioni, dirizhimi, filozofia, antropologjia, apo folklori. Por, të paktë kanë qenë ata që janë përpjekur të kontribuojnë në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme. Si të tillë, do të veçoja Spiro Kalemin, një autor që para pak ditësh festoi 80-vjetorin e lindjes. Ishte ky një shkas për t’iu rikthyer kontributit të tij në formën e një reflektimi.
Spiro Kalemi është muzikolog, kritik dhe publicist. Ai ka një numër të konsiderueshëm botimesh që datojnë prej viteve ’70 e në vijim. Tek libri i tij i parë: Kur dëgjojmë muzikë (1973) është me vend të ndalemi. I strukturuar drejt, me një stil të qartë dhe jo fort i prekur nga formatet e ngurtësuara ideologjike që imponoheshin në atë periudhë, ky libër është një lloj udhërrëfyesi për të njohur muzikën në mënyrë më të thelluar. Shkas për botimin e tij ishte përvoja e Spiro Kalemit në mësimdhënien parauniversitare. Një botim i tillë mund të merret si referim edhe sot, në mos nga nxënësit, të paktën nga mësuesit apo hartuesit e librave mbi edukatën muzikore në shkolla, sepse ka një mënyrë të artikuluar dhe efektive për të mësuar dhe për t’u mësuar me muzikën. Nga ana tjetër, këtë botim mund ta konsiderojmë si një “rit kalimi” drejt një stili individual, me integritet në të shkruarit mbi muzikën. Ky stil do ta dallojë autorin në të gjitha kontributet e tij, qofshin ato të natyrës publicistike, ashtu edhe ato të një formati më akademik.
Deri në fillim të viteve ’90, si kontribute me vlerë të Spiro Kalemit, qofshin këto si autor ose bashkëautor, duhen përmendur librat e maketet e historisë së muzikës shqiptare për shkollat e mesme dhe për Institutin e Lartë të Arteve. Këto botime marrin për bazë estetikën realiste, me gjithë bagazhin terminologjik që e shoqëronte. Kjo estetikë i konsideronte praktikat artistike si “pasqyrim të realitetit”, ndërsa formën dhe përmbajtjen e saj në harmoni me kuadrin politik e ideologjik të propaganduar nëpërmjet partishmërisë proletare. Fokusi i saj ishin prurje muzikore aktuale, po të kemi parasysh faktin se bëhej fjalë për autorë dhe vepra që ishin krijuar nga vitet ’40 deri në fillimin e viteve ’70. Këto prurje u trajtuan në një kontekst historik i cili duhej të kishte si pikë referimi kulturën e realizmit socialist. Zgjedhja e autorëve dhe këtu e kam fjalën sidomos për maketin Historia e muzikës shqiptare për shkollën e mesme të muzikës (përgatitur nga Spiro Kalemi dhe Sandër Çefa) nuk u përqendrua te profilet biografike, por mori për bazë veprën, të klasifikuar në disa gjini kryesore.[1]
Tekste të këtij tipi sot kanë vlerë dokumentare, për të studiuar mënyrën sesi artikulohej muzikologjia në raport me ideologjinë, por edhe për të kuptuar distancën e saj të madhe me zhvillimet e njëkohëshme të vendeve të tjera; përditësimet me autorë me emër, me qasje teorike, me debate akademike apo metodologji specifike. Prapëseprapë, ato vazhdojnë të mbartin gjithashtu edhe një vlerë njohëse informative, duke qenë se ende nuk kemi në dorë ndonjë variant të përditësuar manuali mbi historinë e muzikës shqiptare për nxënësit apo studentët e muzikës.
Nga aktiviteti i viteve ’70-‘80, do veçonim gjithashtu edhe disa artikuj të Spiro Kalemit, të botuar në revistat Nëndori, Kultura Popullore e Shkenca dhe Jeta. Kjo për shkak të një përpjekje ndoshta jo krejt të ndërgjegjshme, për të krijuar hapësira më pak të ngurta interpretimi dhe diskutimi, brenda një fushe thuajse krejtësisht të izoluar, dhe gjithaq të nënshtruar ideologjikisht. E tillë është puna e tij filologjike me dorëshkrimet e Franc Liszt-it, të ruajtura në Arkivin e Shtetit dhe që deri në vitin 1987 (viti i botimit të artikullit) ishin të panjohura për lexuesin. Po kështu, përmendim një diskutim të mbajtur në Aktivin Kombëtar të Kritikës, në vitin 1982. Te ky, shfaqet një qëndrim mjaft skeptik ndaj formateve të ngurtësuar dhe shpesh shabllone që prodhoheshin në faqet e shtypit.[2] Së treti, kemi disa artikuj që referojnë këngën qytetare shqiptare, kryesisht atë të Shkodrës, një qytet kulturën muzikore të të cilit ai e njihte në thellësi. Në argumentet e tij lexojmë një përpjekje për t’i dhënë hapësirë studimit dhe promovimit të gjinive muzikore urbane, të cilat ishin thuajse krejt në hije krahasuar me folklorin “autentik” të fshatit shqiptar dhe apoteozën e ngritur për të.
Marrëdhënia e një muzikologu si Spiro Kalemi me muzikën në Shqipëri mbetet gjithmonë ajo e një hulumtuesi e vëzhguesi të angazhuar. Të kujton deri diku ata studiuesit eruditë që përbënin boshtin kryesor të muzikologjisë europiane të 1800-ës që punonin dhe kultivonin dijet e tyre jashtë kuadrit institucional.
Minga. M
https://youtube.com/channel/UClGw38EqU58vdERfP4X3gzw
Comments
Post a Comment