Kënga himn, partizane
Kënga Himn (partizane)
Shqipëria ka patur nevojën e këngëve patriotike, tri herë në historinë e saj. Këto këngë janë pjesë e pandashme e trashëgimisë muzikore shpirtërore patriotike të popullit shqiptar, e cila filloi të krijohet në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të me muzikën patriotike qytetare kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, e që vijoi me opusin qendror të muzikës patriotike të Rilindjes sonë Kombëtare, pjesë e së cilës është edhe “Himni Kombëtar” dhe që mbyllet natyrshëm me këngët e periudhës 7 prill 1939-9 maj 1945, ose me këngët patriotike të Luftës së II-të Botërore. Këngët e kësaj periudhe i gjejmë edhe me emërtimin “këngë partizane”, “këngët e maleve”, “këngët e rinisë” dhe në ndonjë rast edhe “këngë të luftës çlirimtare” (1939-1945). Sipas kompozitorit Tonin Harapi: “… kënga partizane ekziston si një fenomen i ri i pamohueshëm, në muzikën tonë dhe zë vendin e vet të nderuar”. Ndërkaq, Ernest Koliqi ka shkruar se: “… ekzistojnë një sërë këngësh partizane që u thurin lavde luftës kundër regjimeve t’kalume, disa prej të cilave na rezultojnë t’jenë të përshtatshme si himne kombëtare”. Krijimi i tyre lidhet me emrat e mjaft artistëve muzikantë si Dhora Leka, Kristo Kono, Mustafa Krantja, Sofokli Paparisto, Gaqo Avrazi dhe me krijimtarinë e shkrimtarëve Fatmir Gjata, Andrea Varfi, Kolë Jakova etj.
8. Rezistenca antifashiste shqiptare, ashtu si edhe kryengritësit e Rilindjes Kombëtare, përdori përsëri simbolin e flamurit kuq e zi dhe këngët e vjetra dhe të reja patriotike syresh. Fillimet e këngëve patriotike të Luftës së II-të Botërore, të njohura edhe si këngë partizane për shkak të këndimit të tyre fillimisht nga rinia antifashiste dhe më pas nga formacionet partizane, zënë fill nga mesi i vitit 1942. Pionierja e parë dhe “nëna” e këngëve masive patriotike partizane ishte Dhora Leka dhe këngët e saj konsiderohen si etapa e fundit e repertorit muzikor patriotik shqiptar ku përfshihen këngët për liri dhe pavarësi (1878-1912), ato të luftërave çlirimtare si ato të Vlorës më 1920 dhe më së fundi këngët antifashiste 1939-1944. Këto këngë janë sjellë në një botim nga studiuesi i njohur Vaso Tole, i mbështetur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë ku përmblidhen 60 këngë.
Comments
Post a Comment